Tjera

Reformacioni Protestant: Teologjia, Puna dhe Kisha

Publikuar nga Blendona Cakolli

Pastor dr. Femi Cakolli, kryetar i KPUK

A. HYRJE

Romakёt për më shumë se 300 vjet rresht e rreptë e luftuan sikurse asnjë kundërshtar tjetër krishterimin, dhe pastaj e bëri besim të perandorisë, dhe pa kaluar as 160 vjet kjo perandori ra duke i lënë Europës krishterimin një trashëgimi e cila edhe për më shumë se 1000 vite të tjera, derisa nuk mori rrënjësim reformacioni, nuk do të kishte paqe të vërtetë në këtë kontinent, edhe pse shenjat e para oponente nisën të nxjerrin krye në fillim të shek. XI.

Po t’i marrim së bashku gati gjithë parareformatorët (Piter Valdo, Gjon Uiklif, Jerenomi i Pragës, Jani Hus, Gjirolamo Savonarola, anabaptisët etj.), gjithë reformatorët kryesorë (Martin Luteri, Xhon Kalvini, Uldrih Cvingli) si dhe pasreformatorët (Knox, Bucer, Beza, Tyndale, Melanghton etj.), nuk ishin në një mendje të vetme për çështjet teologjike, eklesiologjike, ekonomike, politike etj. Ata dallonin mjaft shumë edhe për çështje sikurse sotereologjike, pra të shpëtimit, të predistinacionit, të kerigmës, të didakesë, të euharistisë etj. Mirëpo, gjithë këto tri grupe, të parareformacionit, të reformacionit dhe të pasreformacionit rrinin në një mendje të plotë për sa u përket vlerave, e që janë thelbi, parimet, esencat e asaj që quhet reformacioni protestant ose kisha protestante.

B. PESË PIKAT E PËRBASHKËTA REFORMATORE

1. Bibla: është Fjala e Perëndisë, dhe jo vetëm si Fjala e shkruar por edhe si Logosi. Shkrimi (Scriptura) është autoriteti i parë dhe i vetëm i të krishterit dhe i kishës së krishterë. Pra vetëm Shkrimi, Sola Scriptura. Bibla posedon mjaftueshmëri, burimësi dhe providencë për ta njohur dhe prezantuar Krishtin dhe kështu nuk ka nevojë për burime a interpretime të tjera jashtë Biblës.

2. Krishti: është Biri i Perëndisë, Zoti dhe Shpëtimtari, dhe me anë të besimit në Të kushdo që e pranon shpëtohet, shfajësohet, pastrohet dhe pajtohet me Atin Perëndi dhe kësaj vepre shpëtuese asgjë nuk mund t’i heqësh as t’i shtosh. Pra vetëm Krishti, Solus Christus, dhe vetëm besimi në Të mjafton për drejtësim, pra Sola Fide.

3. Kisha: është komuniteti i zgjedhur. Është trupi i Jezusit. Është Nusja e Krishtit. Kisha organizohet dhe administrohet sipas udhës që Krishti ua ka dhënë apostujve sipas porosive në Ungjij, përmes Frymës së Shenjtë dhe sipas modelit të regjistruar në Veprat e Apostujve dhe Letrave apostolike. Nuk ka superkishë ose kishë mbi kishë. Kisha nuk shpëton. Kisha ka autoritet të administrojë hire, bazuar sipas Efe.3:9-10, pra vetëm hiri – Sola Gratia. Kështu i krishteri, klerikët dhe kisha nuk mund t’i japin lavdi ndonjë engjëlli, profeti, shenjtori, autoriteti njerëzor meqë lavdia është vetëm për Perëndinë, Soli Deo Gloria.

4. Sakramentet: janë dy, pagëzimi dhe Darka e Zotit. Pagëzimi është një besëlidhje andaj besëlidhësi duhet të jetë madhor. Darka e Zotit të merret vetëm nga ata që besojnë personalisht në Krishtin dhe merret me dy elemente (buka ose korpi dhe vera ose kupa) dhe jo vetëm njërën. Nuk ka transsubtancion. Pagëzimi dhe euharistia e këtillë, biblikisht janë normative, kurse mënyra, koha, vendi, personi se kush i jep janë çështje jonormative, së paku biblikisht, andaj për shkak të këtij parimi protestantët kanë larmi praktikash dhe bindjesh se si duhet të merren këtyre dy sakramente.

5. Besimtarët: gjithë besimtarët e Krishtit duhet të rilindin shpirtërisht, sepse besimi e shpëtimi nuk janë çështje trashëgimie. Gjithë besimtarët e gjallë janë shenjtorë dhe priftëri e Perëndisë. Besimtari nuk mund të vendos besimin e tij në relikte, eshtra shenjtorësh, kryq, objekt të kishës dhe çfarëdo imazhi a rënie në magjepsjeje shtyrë jo nga Fryma e Shenjtë por njeriu. Krishti e vajosë besimtarin që t’i shërbejë kudo dhe në të gjitha çka bën.

Janë këto pika, parime ose vlera që i mbajnë të krishterët protestantët së bashku, kurse në të gjitha pikat tjera ka dallime të vogla ose të mëdha. Dishepulli më besnik i Martin Luterit, Filip Melanghtoni, përmendet se kishte thënë, ose moravianët e theksonin kёtё frymё reformatore: Liri në gjërat joesenciale – Unitet në gjërat esenciale – Dashuri në të gjitha gjërat!

Tani t’i shohim tri cilёsitё kryesore që e karakterizojnë reformacionin protestant.

C. TEOLOGJIA

Koncepti bazë i teologjisë reformatore u konsolidua kundër platformës “Via Moderna” (e që ishte nominalizmi i vendosur mbi “via antique” – udha e vjetër) dhe inicoi në vend të saj platformën përtërirëse “Devotio Moderna” (devotshmëria e re apo përkushtimi i tanishëm). Pra, devotshmëria kundër nominalizmit ose legalizmit ishte imanenca konfliktuoze. Këto dy nocione kanë qenë pjesë e debatave, e argumentimeve dhe kundërargumenteve, e përplasjeve të teologëve të kohës se si i shihnin gjitha problemet.

“Via Moderna” në thelb ishte aristoteliane, augustiniane dhe tomiste dhe kështu ishte kryekëput spekulative, kurse “Devotio Moderna” në thelb ishte një lëvizje që thërriste në përulje, reforma fetare, bindje, jetë të thjeshtë, thirrje për ripërtërirje apostolike pra ashtu si Krishti dhe apostujt me kompetencën e tyre devocionale e kishin themeluar dhe drejtuar kishën, prandaj njëri nga reformatorët tha “ne nuk jemi novatorë por reformatorë”. Lidhje me “Devotio Moderna” reformatorët spikasnin: mëso dhe prediko ma tepër me “licencë shpirtërore” sesa me letër a lecencë papale a episkopale. Së këndejmi, Martin Luteri thoshte: konvertimi i vërtetë i njeriut është i trefishtë: konvertimi i zemrës, konvertimi i shpirtit dhe konvertimi i xhepit.

Një çështje thelbësore e reformacionit, dhe që i lidh të tri temat (teologjia, puna dhe kisha) është doktrina e predistinacionit, pra e paracaktimit. Predistinacioni është një doktrinë që thotë se Perëndia vetëm disa i ka zgjedhur për të shkuar në qiell. Kjo teologji në fakt është doktrinë e pastër e kalvinizmit protestant. Kështu nga këto mësime e predikime njerëzit filluan që mos të jenë të sigurt se a do të kalojnë jetën në parajsë apo në ferr dhe nisën që të bëhen njerëz të mirë, punëtorë, prodhues, të saktë, studioz, të rregullt e të moralshëm dhe këto ishin gjërat që protestantët e hershëm i ndjenë si për vetën e tyre, se janë të zgjedhur, pra të paracaktuar nga Zoti.

Si arritën që protestantët ta bindin vetveten se janë të paracaktuar? Sepse, “vetëm njerëzit e zgjedhur mund ta jetojnë në tokë një jetë të mirë” dhe kjo është cilësuar edhe si etika protestante dhe e cila çoi në zhvillimin e kapitalizmit sipas shpjegimit të Maks Veberit. Për shkak të kësaj pikëpamje protestantët zhvilluan një etikë asketike në mënyrë që të prodhojnë më shumë duke ikur nga kënaqësitë, koha e kotë, rehatia pasi e ushtronin aktivisht “thirrjen nga Zoti”. Prandaj protestantizmi kalvinist e përçmoi hedonizmin, bjerrjen e kohës, jo kënaqësi por punë, jo nga të shohin sytë por plane. Doktrina e paracaktimit është njëra nga pikat kyçe të teologjisë së reformuar. Normal që ishte edhe grupi tjetër protestant i quajtur armenian që pati pikëpamje plotësisht ndryshe prej paracaktimit, dhe këto dy qasje janë edhe sot aktuale.

D. PUNA

Meqë reformatorët thirreshin në Shkrim, duhej të studiohej, duhej që të aplikohej dhe të predikohej, kështu këta panë se Zoti është Krijuesi i çdo gjëje, dhe te Zanafilla tregohet madje se çfarë Ai po bënte secilën ditë si dhe pse. Ai po punonte, madje edhe vullnesa e parë e Perëndisë për njeriun e parë Adamin ishte: “Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit me qëllim që ta punonte dhe ta ruante” (Zan.2:15). Konkludimi ishte ky: ne kemi një Zot që punon, që urdhëron për punë, kemi një Zot qё punon e krijon e kujdeset vazhdimisht, e jo vetëm një Zot që rri atje lart në qiell. Meqë Zoti është punëtor, e që e do punën, e urdhëron punën, atëherë ne duhet të punojmë! Krishti tha “më imitoni mua”, andaj të punojmë sikurse Zoti ynë – kërkonin reformatorët! Imitimi ёshtё nё karakter dhe nё vepra, pra punё. Jezusi punoi shumё, udhёtoi shumё, shёrbeu shumё etj. Po themi se tё jesh i krishterё, apo tё bёhesh i krishterё dhe tё jesh ose tё mbetesh nё pёrtaci nuk shkojnё kurrё bashkё.

Kjo “thirrje” nga ana pragmatike në zanafillë kishte idenë dhe nevojën se ku ti si njeri e kalon jetën e përjetshme, dhe pastaj për shkak të etikës kalviniste kjo “thirrje” (gjer. beruff) me kalimin e kohës, duke punuar, u bë “profesion” (gjerm. beruff).

Dallimi se si bën kapital më shumë protestanti sesa joprotestanti ishte kështu: protestanti, fitimet nuk i harxhonte për qejfe por i fuste në investim. Dihet se nuk mund ta drejtosh një biznes të madh me kapital të vogël, ose e kthyer në etikë, nuk mund të kesh një post të madh prej udhëheqësi e të kesh pak depozitë morale e profesionale. Për protestantin, sidomos atë kalvinist, e që ishin shumicë në Europë deri në mesin e shekullit XVII, kënaqësia dhe përmbushja ishte qëllimi final por jo edhe gjatë rrugës së punës, të fitimit, të kapitalit etj.

Reformatorët, bazuar në Letrën e Parë dhe të Dytë dërguar selanikasve nga Apostull Pali, kërkonin që i krishteri dhe familja e krishterë të jenë të rregullt në besim, të rregullt me njëri-tjetrin, të rregullt në jetë dhe kështu zhvilluan edhe një maksimë bazuar në Fjalët e Urta të Solomonit “Zoti i beko planet”. Njëherë pyeti Martin Luteri: kush është më i bekuar? Kush është i krishteri i mirë? Ai që i bekon të tjerët që të kenë sandale të mira apo ai që i punon ato mirë me plan dhe që nuk u vret këmbët e atyre që i mbathin?! Në të vërtetë gjatë mesjetës sandalet nuk ishin të dallueshme në të majta e të djathta, dhe gjatë kësaj kohe u zbulua kjo gjë. Gjatë mesjetës ose sipas paradigmës “via moderna” vetëm ajo punë që bëhej nga kleri ose të tjerëve brenda kishës dhe manastirit konsiderohej e shenjtë, kurse reformacioni e trajtoi se çdo punë e bërë kudo dhe nga kushdo qoftë duhet të konsiderohet e shenjtë.

Prosperiteti ekonomik nuk bazohet në diçka misterioze e qiellore por në të menduarit metodologjik, në veprueshmërinë etike e morale, saktësinë e kohës, marrjen e përgjegjësisë nga individi, punë aktive, punë të vazhdueshme. Sipas Veberit janë vetëm 31 shtete që quhen kapitaliste, kurse të tjerat kanë kulturë “supernatyrore” se do të bëjë dikush diçka për ta, se do të presim dikë dhe ne do të bëhemi të pasur etj.

E. KISHA

Asnjë nga parareformatorët e as nga reformatorët nuk kishin as qëllim e as ide që të krijonin një kishë të re jashtë asaj katolike, por që ta reformonin ekzistuesen me reformime morali, shpirtëroriteti e doktrinare por kjo nuk ndodhi. Në fakt ato kohë katolikët flisnin po ashtu për reforma por ata kishin ende në mendje reforma administrative, organizative dhe jo doktrinare. Kërkesat dhe pikëpamjet e reformatorëve protestantë ishin tjera, sikurse këto:

– Tradita kishtare nëse është e dobishme mund të përdoret por jo të jetë sakrale dhe autoritative për kishën dhe besimtarin

– I krishteri të bëhet një ndërmarrës dhe mos të jetojë si fatalist

– Në qendër të besimit të jetë Krishti (kristocentrizmi)

– Ndalimi i praktikës dhe i mënyrës së rrëfimit të mëkateve te kleri

– Kisha të jetë e lirë nga papa, të jetë pa shumë ceremoni dhe e thjeshtë

– Kisha ta shpërndajë arin dhe argjendin e saj pasi pasuria e saj është ungjilli

– Bibla të përkthehet në gjuhët e popujve

– Të hiqet mesha nga kishat dhe të zëvendësohet me mёsimin e Fjalёs

– Të hiqeshin nga kishat skulpturat, pikturat, ikonat dhe gjërat e çmueshme

– Të hiqej nga kisha altari që e ndan popullin nga kleri ose shërbenjësit e ungjillit

– Të përfundojë celibati

– Të mbyllen manastiret

– Tё bёhet ndarja e kishës nga shteti

– Shkurtimi i sakramenteve nga shtatë në dy

– Shkurtimi i ditëve të festave dhe zëvendësimi me ditë pune

– Të hapen universitete sa më shumë

– Heqja e muzikës kishtare latine nga kishat dhe zëvendësimi me muzikë popullore

– protestanti i mirë duhet të ketë profesion.

F. PËRFUNDIMI

Format nuk duhen adhuruar. Reformimi nënkupton ndërrim paradigmash e jo riformatime. Pa marrë rreziqe nuk ka reforma të mëdha e as serioze. Reformimi më shumë në kontekstin aktual do të lidhet me depozitat morale dhe profesionale sesa kërkim formash informaliste, pra nuk ka reforma me ndërrim dizajnesh por ndërrim udhe, qëllimesh, mënyrave. P.sh. nëse njeriu që është plot mllef ndaj varfërisë ai lehtë rrëmbehet nga begatia; dikush që ka turp për një veshje të thjeshtë ai lehtë do të jetë krenar për një veshje të shkëlqyer; dikush që urren një ushqim të thjeshtë një ditë do të abuzojë kur ta ketë me bollëk; një person që nuk mund ta pranojë një pozicion përulës do të krekoset kur të jetë në pozitë të lartë; nëse nuk je besnik në gjëra të vogla lehtë do të jesh shkelës i gjërave të mëdha. Zoti vlerëson dhe e lavdëron thjeshtësinë, vetëpërmbajtjen, kursimin, maturinë dhe nxitjen për vepra të mira komunitare. Te Veprat e Apostujve është regjistruar një rast kur Zoti ekzekutoi një çift, Anania dhe Safira, për mungesë të transparencës financiare. Kisha e Reformuar, apo kisha protestante, sot pavarësisht denominacioneve të saja, kuptohet me natyrë dyfiziste, bazuar në doktrinë e zbulesë të saj, teologji dhe aksiologji, është kishë universale, pra globale.

Antitipi i Luterit nuk ishte papa por Ignatio Lajola, një ish-mercenar spanjoll, që i luftonte protestantët; Luteri e thellonte devotshmërinë e tij në letrat e Palit kurse Lajola ndërmori po ashtu reforma që të thellohej në disiplinat e rrepta kishtare e ushtarake kundër të tjerëve që nuk ishin si ai.

Quhet kishë e reformuar sepse është e lirë nga çfarëdolloj shtypje e kufizimesh që vjen nga shteti dhe nga autoritetet kishtare, meqë liria e vërtetë duhet të vijë sipas lirisë së Shkrimit të Shenjtë dhe të Krishtit. Europa nuk u bë plotësisht protestante, edhe pse ishte shumë afër, jo aq për shkak të inkuizicioneve (nisur më 1542 në Romë), jo aq për shkak të pushtimeve turke, jo aq edhe për shkak mosmarrëveshjeve të brendshme reformatore por për shkak se në fund kisha katolike u detyrua dhe nisi reformat e veta brenda kishës, njohur edhe si kundërreformacioni, duke larguar klerin e korruptuar dhe duke i ngritur disa disiplina shpirtërore.

Reformacioni i dha fund periudhës së të ashtuquajturit “krishterimi dykokësh” sipas Zhak le Goff (Jacques le Goff), nga njëra anë papa e nga ana tjetër perandori. Gjon Kalvini e përcaktoi devotshmërinë ose perëndishmërinë duke thënë: “me perëndishmërinë unë nënkuptoj një përzierje të ndrojtjes dhe të dashurisë ndaj Perëndisë që nxitet nga bekimet e tij”. Në fund mund të them se teologjia mund të jetë një çështje bisedeje, pra spekulacioni, por doktrina që Krishti ka lënë përmes apostujve është çështje jeteje të re. Reformimi nё fakt duhet tё vazhdojё dhe nuk duhet tё ndalet asnjёherё: reformim shpirti, zemre, pune! Këto nuk mund te bëhen nga forcat e vullnetet tona pa Krishtin me zemër në zemër!!!

Leave a Comment