Pashka

Mesazh Pashke

Publikuar nga Blendona Cakolli

E Diela e Ringjalljes

“Para së gjithash ju kam shpallur të vërtetën që m’u dha edhe mua, se Krishti, sipas Shkrimeve, vdiq për mëkatet tona, u varros dhe u ngjall ditën e tretë, po sipas Shkrimeve.” (1 Korintasve 15:3‭-‬4)

Sot festojmë ngjarjen e ringjalljes fizike të Jezusit. Ringjallja e Jezusit nuk ishte metaforike apo simbolike, ishte fizike, e prekshme dhe e dukshme. Këtë na dëshmojnë të katër ungjijtë duke u bazuar në dëshminë e dëshmitarëve okular. Ata të cilët e kanë parë me sytë e tyre, e kanë prekur më duart e tyre dhe e kanë dëgjuar me veshët e tyre. Jo në mënyrë virtuale apo metaforike por në prezencë fizike.

Nën dritën e ringjalljes së tij fizike, ka kuptim edhe vdekja e tij shpenguese për mëkatet dhe paudhësitë e njerëzimit. Me anë të vdekjes dhe ringjalljes së tij, Jezusi ka mposhtur armikun e madh të njerëzimit, vdekjen. I ka dhënë përgjigje problemit të përhershëm të njerëzimit me mëkatin, duke paguar çmimin e lartë për paudhësitë tona. I ka zhveshur pushtetet e errësirës dhe i ka turpëruar botërisht duke ngadhënjyer mbi ta.

Jezusi i ringjallur u jep dishepujve prova të pamohueshme të prezencës së tij fizike në mesin e tyre. Duke u treguar atyre shenjat dalluese në trupin e tij. Trupi i tij ishte fizik, por kishte përjetuar një metamorfozë. Ishte një trup i ringjallur dhe i lavdishëm.

Për dishepujt, prova se Jezusi ishte ringjallur, nuk ishte varri bosh. Varri bosh pa shfaqjen fizike të Jezusit veq sa e komplikonte situatën. E vetmja provë që do të bind dishepujt se Jezusi vërtetë ishte ringjallur, ishte prezenca e tij fizike.

Dishepujt panë dhe besuan. Thomai nuk besoi deri sa e pa Jezusin e ringjallur. Këta njerëz ishin dëshmitar okularë, që kanë parë gjërat me sytë e tyre, i kanë prekur me duart e tyre, gjëra që kanë dëgjuar me veshtë e tyre. Kjo është dëshmia e tyre. Këtë dëshmi ata e shpallën me gojën e tyre, e regjistruan për brezat e ardhshëm dhe e mbrojtjen me jetën e tyre.

Besimi ynë është i vendosur mbi këtë dëshmi. Besimi ynë nuk është i vendosur mbi një teori por mbi një person dhe një ngjarje. Në personin e Jezusit nga Nazareti dhe në ngjarjen e ringjalljes së tij.

E vërteta, se Jezusi u ringjall u proklamua nga dëshmitarët okularë të cilët dëshmonin se ata kishin parë Jezusin e ringjallur pasi ai kishte vdekur në kryq dhe trupi tij i vdekur ishte vendosur në varr.
Pa ringjalljen e Jezusit, krishterimi kurr nuk do të kishte filluar dhe madje ringjallja është shpjegimi i vetëm i arsyeshëm për fillimin dhe përhapjen e ungjillit. Kjo është baza pse u rrit kaq shumë e shpejt krishterimi edhe pse gjatë 300 viteve të para nën vuajtje përndjekje sistematike.

Apostulli Pal tek letra e parë e Korintasve (kapitulli 15) flet mbi vërtetësinë e ringjalljes dhe rëndësinë e kësaj ngjarje në besimin e krishterë. Ai fuqishëm artikulon dhe argumenton mbi vërtetësinë e ringjalljes së Jezusit duke iu referuar individëve dhe grupe njerëzish si dëshmitarë okularë të kësaj ngjarje dhe në fund edhe ai vetë si një i tillë.

Duke argumentuar mbi rëndësinë dhe implikimet e ringjalljes së Jezusit, Apostulli Pal na jep këto konkludime.
Ai konkludon se, në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, atëherë:
– Predikimi ynë është i kotë
– I kotë është edhe besimi ynë
– Ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë
– Ne jemi ende në mëkatet tona
– Ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve

Por meqenëse Jezusi u ringjall me të vërtetë, atëherë e kundërta është e vërtetë.

Prandaj sot festojmë!

Sepse sot është e diela e ringjalljes. E diela e Shpresës, e diela e jetës së re.
E diela e varrit bosh, e diela kur trupi i pajetë i Jezusit është ngritur në jetë të re dhe në ekzistencë të lavdishme.
Kjo ngjarje është përkufizimi i shpresës.
Dhimbjet dhe vuajtjet e së premtes janë shndërruar në shpresë dhe jetë!
Lotët e dhimbjes janë shndërruar në lotë gëzimi.
Ringjallja e Jezusit është garancioni i ringjalljes tonë. Garancioni i shpresës për njerëzimin dhe gjithë kozmosin.

Ky lajm është i vërtetë dhe i mirë!

GËZUAR PASHKA!

Pastor Imir Gashi
Kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës

Leave a Comment