Komunikatë për Media

Komunikatë lidhur me Qëndrimet e z. Qëndrim Gashi

Publikuar nga Korab Zhuja

Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës lidhur me zërat për dorëheqjen e ambasadorit të Kosovës në Paris z. Qëndrim Gashit, për media lëshon këtë:

Komunikatë

Zërat e ngritur nga disa institucione, grupe dhe individë për dorëheqjen e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë z. Qëndrim Gashit, i cilësojmë si përzierje direkte dhe ndërhyrje në punët e shtetit dhe të përcaktimit të tij laik nga palët me motive fetare.

Kemi pritur për reagimin publik të ambasadorit Gashi. Tani jemi të bindur se kërkesat dhe tonet nga debatet televizive dhe komentet portaliste në lidhje me shpërndarjen e shkrimit të gazetës parisiene nga ana e z. Gashit në profilin e tij personal, e sidomos të përmbajtjes së karikaturave me motive denigruese ndaj figurës kryesore të fesë islame, janë të ngutshme dhe emocionale. Ne e pohojmë besimin tonë se Zoti, Fjala dhe vepra e tij nuk kanë nevojë për për mbrojtje, as për avokat e as për mbret. Zoti është sovran dhe providenca e teodecia e tij janë të pacenueshme.

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës përcjell ngjarjet dhe zhvillimet publike në vend dhe ndajmë shqetësimin tonë se prapa zërave për shkarkimin e ambasadorit Gashi, si një pretekst, me gjasë mund të jenë edhe dikush nga politika kosovare për të krijuar qëllimisht tensione prapaskenike dhe tema inekzistente apo tema emergjente duke u prekur ndjenjat fetare.

Nga ana tjetër ne e ftojmë secilin individ a institucion, çdo ambasadorë, lider a intelektual që të shmangin sa më optimalisht çdo paraqitje publike a private që çon në mosrespektimin e feve, të figurave të veçanta të besimeve fetare, të figurave kombëtare dhe të cilësdo figurë tjetër që ka peshë publike e kulturore të lidhura me vendin tonë. Kemi nevojë për krijim e respektim të një rendi vlerash, parimesh dhe ligjesh.

Gjithë ne që thirremi në të drejtën e shprehjes dhe të mendimit të lirë, të bindjes e ndërgjegjes së lirë themi se ne si të krishterë protestantë e respektojmë këtë parim e vlerë demokratike të një shoqërie të hapur e plurale, mirëpo duhet të gjejmë po ashtu së bashku baraspeshën dhe barasvlerën si Kosovë e si shqiptarë mes nivelit të lirisë së shprehjes dhe nivelit emancipues të shoqërisë sonë në përgjithësi.

Krishti është Shpëtimtari!

Pastor dr. Femi Cakolli, kryetar

Prishtinë, 28 tetor 2020

Leave a Comment