Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij.
Lluka 2:14
Muaji dhjetor për gjithë komunitetin tonë protestant në Kosovë paraqet muajin e Krishtlindjes prandaj edhe mbahen shërbesa të veçanta, projekte, programe, e takime të shumta nëpër kishat e qyteteve të vendit këto ditë. Gjithë të krishterët tanë përgjatë këtij muaji mobilizohen që gëzimin dhe solidaritetin e tyre ta ndajnë me sa më shumë njerëz të tjerë që jetojnë në fqinjësinë tonë.
Muaji i Krishtlindjes për ne ka peshë të madhe pasi misteri e zbulesa shfaqen; pasi Fjala u bë mish, pasi Perëndia erdhi mes nesh, sepse Perëndia mori trajtë njerëzore, e i Shenjti e përuli veten e tij për ta takuar njerëzimin dhe për ta shpëtuar atë nga bjerrja e humbja. Ungjilli i Jezusit është shenja më e qartë se Mbretëria e Perëndisë është afër dhe se ajo tashmë është ne jetët e mijëra protestantëve në Kosovë. Krishtlindja është jehona e lavdisë së turmave të panumërta të qenieve qiellore dhe të mbi dy miliardëve të krishterë në botë dhe kështu bëhet festa më masovike në globin tokësor duke kumtuar lajmin e mirë për lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit. Krishtlindja u bë shpresa e prekshme e mishëruar pas 5550 vjetesh qëkur njeriu i parë Adami mësoi për këtë premtim nga Perëndia.
Ardhja e Jezusit, ose e Mesisë, në botë është ndërhyrja më e madhe e Perëndisë në historinë njerëzore. Jezusi u lind para 2000 vitesh në Betlehem nga e zgjedhura Maria e virgjër. Krishtlindja është përmbushja e shumë profecive biblike dhe përmbushja e shpresës së gjallë. Gjithë historia e Krishtit përmblidhet me tri fjalë: histori Hiri, histori Ungjilli, histori Dashurie.
Jezusi erdhi për të gjithë njerëzit e jo vetëm për ata që e prisnin. Jezusi është dhurata më e madhe e qiellit dhënë botës njerëzore. Ai i mori fajet tona dhe i pagoi duke vdekur në kryq si ndëshkim, mirëpo pas tri ditësh u ringjall dhe pastaj u ngrit në lavdi nga do të vijë dhe ta marrë secilin që ka vendosur që të besojë në të.
Kjo festë le t’i shërbejë vendit tonë që të mbledhë më shumë forcë e unitet për vepra të qëndrueshme; lutemi që sa më shumë të japë secila dorë e gjithë vendit para shpejtojë sa për të mbledhë; që sa më shumë ta zgjasim këtë dorë kah njëri-tjetri, secili pa përjashtim. Ne lutemi për paqen e vërtetë të secilit individ me vetën e tij, me të tjerët dhe me Zotin. Lutemi për paqen që tejkalon çdo zgjuarsi ta ketë në jetën tij secila shtëpi shqiptari.
Urojmë që të shtohet besa mes nesh dhe kjo të rrijë këmbëngul për çdo situatë jetësore. Lutemi për fuqinë dhe kurajon që të gjejmë falje tek Zoti, falje tek tjetri dhe falje tek vetvetja. Dëshira dhe vullneti i Zotit është që ne ta njohim personalisht Birin e Tij dhe që të jemi të transformuar përditshëm dhe kështu Perëndia do të na lëvdojë neve një ditë – këtë na kujton Shkrimi. Lutemi dhe urojmë që secili prej nesh të gjejë kuptimin e jetës dhe ta materializojë Atë që quhet Shpresa e Gjallë në djepin e shpirtrave e zemrave të tyre!
Krishtlindja është besa e mbajtur nga Zoti për mijëra vjet ndaj njeriut. Ai nuk e hodhi poshtë kurrë asnjë premtim për ne edhe pse ishim bërë shkapërdarë, porse Jezusi duke na përfaqësuar neve dhe duke banuar tash në ne po shohim pak nga pak se në vendin tonë po rikthehet besëlidhja e Zotit. Drita, dashuria dhe vërteta e Jezusit të hyjnë në çdo person për t’u bërë tempull i Perëndisë.
Për shumë mot Krishtlindjen gjithë të krishterëve dhe vendit tonë Kosovës!
Pastor Femi Cakolli
23 dhjetor 2018
Prishtinë