Driton Krasniqi ka lindur në vitin 1975 në Pejë. Pastor Dritoni është i martuar me Halide Krasniqin dhe Zoti i ka bekuar me tre fëmijë.
Arsimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë. Në vitin 1997, u diplomua në studime biblike në Institutin Ndërkombëtar të Trajnimit Biblik (IBTI) në Britaninë e Madhe. Në vitin 2004, vijoi studimet universitare në Teologji në Universitetin e Uellsit, në Bangor, Britani të Madhe. Në vitin 2007, mbrojti me sukses disertacionin mbi temën “Historia e Protestantizmit në Kosovë nga shek. XVIII” për gradën Master në Teologji (MTh).
Nga viti 1997 deri në vitin 2007, ka shërbyer si pastor në kishën “Bashkësia e Popullit të Zotit” në Prishtinë. Nga viti 2008 e deri tani, ai është shërbestar i Ungjillit në Bashkësinë e Zotit Jezus – Evangjeliste në Gjakovë.
Midis viteve 2007 dhe 2011, ka shërbyer në Këshillin e Shërbestarëve të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK). Në vitin 2011, u votua për kryetar të KPUK-ut dhe në vitin 2014 u rizgjodh për mandatin e dytë. Që nga viti 2018, drejton Unionin e Shkrimeve të Shenjta Kosovë (SUK) – një organizatë ndërkombëtare e krishterë. Nga viti 2010 deri në vitin 2014, ka udhëhequr OJQ-në ndërkombëtare “World Vision International” në Kosovë. Gjatë të njëjtës periudhë, ka ndihmuar në fazën e hartimit të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe ka shërbyer për dy vjet si anëtar i Bordit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF). Në vitin 2014, është zgjedhur Sekretar i KPUK-ut.
Ai ka kredenciale si shërbestar me Asamblenë e Perëndisë në Britaninë e Madhe.
Që nga viti 2000, Pastor Krasniqi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në dialogun ndërfetar dhe ndërtimin e paqes mes komuniteteve në Kosovë.
Ai ka përfaqësuar komunitetin protestant të Kosovës në shumë konferenca dhe forume vendore e ndërkombëtare.
Ka kontribuuar me shumë shkrime në portale, revista dhe gazeta. Shkrimet e tij janë botuar edhe në gjuhën angleze në librat: “Kosova” dhe “Pentekostalizmi Europian,” ndërsa më 2024 pritet të publikojë punime kërkimore për Enciklopedinë Krishtere në Skoci.
Ai është ligjërues i rregullt në Shkollën Biblike “Iliria” në Prishtinë dhe gjithashtu ligjëron si pedagog vizitor në kolegje dhe forume jashtë vendit.
Përveç gjuhës amtare shqipe, flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe komunikon në serbisht dhe gjermanisht.