Alma V. Lama është lindur në Gjakovë në vitin 1971. Ajo është një figurë e dalluar në fushën akademike të gjuhës dhe letërsisë angleze, si dhe një dëshmitare e gjallë e besimit të palëkundur në Zotin.
Znj Lama është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Jeta e saj është një rrugëtim i jashtëzakonshëm mes sfidave jetësore dhe përkushtimit ndaj thirrjes së saj si nënë, bashkëshorte por edhe nga pasioni i saj në Akademi dhe për t’i shërbyer Zotit me përulësi.
Pas traumave të luftës së vitit 1999 në Kosovë, kur bashkëshorti i saj u mor peng nga forcat okupatore serbe, Alma e gjen veten përballë një sfide të jashtëzakonshme — të jetë njëkohësisht nënë dhe baba për dy fëmijët, fryt i një martese të mbushur me dashuri. Në mes të dhimbjes, pasigurisë dhe mungesës, ajo gjen forcën për të qëndruar e palëkundur, duke u mbështetur fuqishëm në besimin e saj në Zot. Ishte pikërisht ky besim që i dha shpresë për të vazhduar përpara dhe për të përballuar çdo ditë me guxim dhe shpresë për një të nesërme të sigurt. Që nga ajo kohë, ajo i përkushtohet shërbimit ndaj Zotit, duke u bërë pjesë aktive e organizatës ndërkombëtare Samaritan’s Purse, ku për dhjetë vite shërbeu si menaxhere e projektit: “Projekti i Zemrës për Fëmijë” në Kosovë. Në këtë rol jetësor, ajo ndihmon fëmijët me probleme të lindura të zemrës që të marrin trajtim në spitalet amerikane, duke qenë ura e shpresës ndërmjet familjeve kosovare dhe mundësive të shërimit. Në vitin 2010, Alma vazhdon kontributin e saj edhe në arsim, duke dhënë mësim në Shkollën Amerikane të Kosovës dhe në New Age School (Një shkollë e gjuhëve të huaja në Prishtinë).
Një vit më vonë, ajo kthehet në vendlindje, në Gjakovë, për të shërbyer në Bashkësinë “Familja” dhe për të punuar si menaxhere në klinikën dentare të organizatës Service International. Paralelisht me angazhimet e shumta profesionale dhe shpirtërore, rritjen e dy fëmijëve dhe arsimimin e tyre, Alma i kthehet studimeve universitare, ku përgjatë 11 viteve të edukimit të lartë, ajo arrin të diplomohet si studente e dalluar në Fakultetin e Edukimit, Dega Gjuhë dhe Letërsi Angleze, në Universitetin e Prishtinës – dega në Prizren. Më pas, ajo vazhdon me studimet e magjistraturës dhe arrin titullin Magjistër Gjuhë dhe Letërsisë Angleze. Ajo arrin kulmin e suksesit me arritjen e titullit Doktor i Shkencave Filologjike në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në vitin 2019. Në vitin 2022, Alma përballet me një nga sfidat më të mëdha të jetës — diagnozën e kancerit. Me besim të palëkundur në Zotin dhe shpirt luftarak, ajo e tejkalon këtë periudhë të vështirë, duke dalë më e fortë dhe më e përkushtuar për të jetuar me qëllim dhe mirënjohje.
Përveç përgatitjes së saj akademike Baçelor, Master dhe Doktoratë në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Alma ka ndjekur edhe dy shkolla ndërkombëtare biblike:
- International School of Ministry (ISOM) me bazë në SHBA
- Shkolla Biblike “Iliria” në Kosovë
Në Shtator të vitit 2019 Dr. Alma Lama punësohet si Lektore në Universitetin Për Biznes dhe Teknologji dhe nga viti 2021 ajo fiton titullin akademik Profesor Asistent dhe shërben si Dekane e Fakultetit të Gjuhës Angleze në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë, si dhe është anëtare e Këshillit Akademik, duke ushtruar këtë rol me përkushtim të plotë prej katër vitesh tashmë. Ajo është autore dhe bashkë autore e dhjetëra punimeve shkencore me 47 citime dhe botimin e një libri, dhe ka dhënë kontribut të madh në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë. Përveç kësaj ajo vazhdon të shërbej në Bashkësinë “Familja” në Gjakovë. Në vitin 2025 është zgjedhur anëtare e Këshillit Drejtues (KD) të KPUK për një mandat tre vjeçar.
Fjalët e Urta 3: 5-6 “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; 6 pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”