Zyra qendrore e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës për mediat dhe opinion e gjerë lëshon këtë:
KOMUNIKATË
Si qytetarë të barabartë të vendit tonë, ashtu siç edhe ligjet e kushtetuta e Republikës sonë na garantojnë, si dhe si të krishterë protestantë të njohur e pranuar sipas ligjit të fesë e që në tërë Kosovën jemi të pranishëm në 20 komuna me mbi 12,000 besimtarë, si Bashkësi shprehim indinjatën dhe shqetësimin tonë lidhje me demolimin dhe dëmtimin e pllakës që shënonte vendvarrezat tona në komunën e Gjilanit.
Kjo pllakë shënjimi ishte vendosur me respekt e gatishmëri nga autoritet komunale të qytetit të Gjilanit në fillim të këtij qershori, por ja tani qê është thyer e vandalizuar nga argatët e territ të zi. Rasti është lajmëruar në polici dhe komunë.
Komuniteti ynë e kishte njoftuar me shumë gëzim gjithë opinion tonë për gjestin e mirë të komunës së Gjilanit për sigurimin e vendvarrezave për ne në këtë komunë, edhe pse ky obligim ligjor, ku ne si të krishterë protestantë shqiptarë qe shumë vjet nuk kishim mundësi për një tokë varrimi që ky shërbim të bëhej me dinjitet dhe në paqtim për besimtarët tanë dhe të tjerët.
U bëjmë thirrje organeve të rendit që t’i gjejnë shkelësit e ligjit menjëherë dhe të ndërmarrë masa parandalimi për gjithë ata që vazhdimisht bëjnë e përhapin e frymëzojnë urrejtje ndërfetare dhe që çdo ditë po prishin bashkëjetesën ndërfetare e ku më së shumti po pësojnë komunitetet më të vogla dhe ata qytetarë që janë më tolerantë.
Në të njëjtë kohë lypim nga të gjitha komunat tjera ku ne si Kishë Protestante Ungjillore e Kosovës kemi bërë kërkesa për vendvarreza për komunitetin tonë që të realizohen këto kërkesa sa më parë.
Pastor Femi Cakolli, Kryetar i KPUK